(VIDEO)Skema Kombëtare e Investimeve, shumë pak aplikime që prej 30 Korrikut
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur thirrjen për aplikime në skemën kombëtare të investimeve 2025 që prej datës 30 Korrik. Por ndonëse ka kaluar një muaj nga kjo thirrje numri i aplikantëve nga Mati është shumë i vogël. Burime pranë zyrës së ekstensionit bujqësor thanë se interesi ka qenë shumë i ulët, ndonëse skema mbështetëse është shumë favorizuese.
Për të mbështetur zhvillimin bujqësor, Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron një fond rekord prej 20 milionë eurosh, të cilat janë të strukturuara në nëntë masa mbështetëse, të cilat mund të përdoren nga fermerët dhe subjektet bujqësore për të zhvilluar plane investimi të personalizuara. Kjo skemë përfshin: ndërtimin e serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës, mbjellje të reja në pemë frutore, ullinj, agrume dhe vreshta, vendosje rrjete antibreshër për pemët, agrumet dhe vreshtat ekzistuese, ndërtimin e sistemeve të ujitjes me pika në pemëtore dhe vreshta, ndërtimi i ambienteve për mbarështimin e blegtorisë dhe shpendëtarisë; mekanizimi dhe modernizimi i fermave bujqësore dhe blegtorale; pajisje për përpunim dhe paketim për perime, fruta, rrush, verë, ullinj dhe vaj ulliri; investime në agroturizëm si dhe kosha e rrjeta peshkimi për akuakulturë.
Fermerët që duan të aplikojnë në Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, kanë kohë deri me datë 30 Shtator, ndërsa të interesuarit mund të marrin informacionin e nevojshëm pranë zyrave të ekstensionit bujqësorë.