(VIDEO)Situatë alarmante në parkun kombëtar “Lurë – Mali Dejës”

(VIDEO)Situatë alarmante në parkun kombëtar “Lurë – Mali Dejës”
Situata e zjarrit në parkun kombëtar “Lurë – Mali Dejës” vijon të mbetet kritike edhe pas më shumë se dy javësh. Janë qindra hektar pyje halore të përshkuara dhe djegura nga zjarri i cili ka nisur tashme prej afro 20 ditësh. Ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë qenë thuajse të paefektshme për shkak se nuk është mundur që të izolohet vatra e zjarrit. Mësohet se deri këtë të premte zjarri ka përshkuar më shumë se 400 ha pyje nga fshati Gurë-Lurë, Zall Gjoçaj e deri në Mbas Dejë. Sipas strukturave të Mbrojtjes Civile në prefekturën Dibër, në vatrën e zjarrit poshtë liqenit të Hotit që bashkohet me basenin dhe mbi fshatin Gurë-Lurë zjarri është vënë nën kontroll dhe po mbahet nën monitorim nga 23 forca ushtarake, 5 efektivë zjarrfikës, 20 punonjës të Bashkisë Dibër, 10 punonjës e vullnetarë nga Njësia Administrative Lurë, drejtues të A.K.M.C, si dhe drejtuesi i Emergjencave Civile të Prefekturës. Po ashtu është planifikuar që të luftohet me flakët nga ajri me anë të avionit. Por është vendosur që të anullohet ndërhyrja në një vatër tjetër zjarri që është aktive dhe e përhapur në vendin e quajtur “Gjura e Pllaut” sipër gropës së madhe meqë ambjenti ishte i mbuluar me tym dhe mund të rrezikohej jeta e pilotit. Terreni është shumë i vështirë dhe nuk mund të ndërhyhet me forca tokësore. Sa i përket zjarreve në parkun natyror “Ulëz – Shkopet”, vatra e zjarrit në luginën e Shkopetit është fikur plotësisht të enjten, por mësohet se ai u riaktivizua pasditen e së premtes sërish në afërsi të tunelit të madh të Shkopetit, ndërsa po luftohet për të fikur vatrën tjetër që është në kufirin ndarës mes Matit, Mirditës dhe Kurbinit.