(VIDEO)Situata alarmante e mbeturinave në Luçan, rrezik për ujin dhe shëndetin e banorëve

(VIDEO)Situata alarmante e mbeturinave në Luçan, rrezik për ujin dhe shëndetin e banorëve
Hedhja e mbeturinave pranë antenave përgjatë rrugës së Qafës së Buallit, në zonën mes Krastës dhe bashkive të Klosit dhe Bulqizës, ka shkaktuar shqetësim serioz për banorët e fshatit Plan i Bardhë. Prej katër vitesh, kjo pikë është përdorur si vendgrumbullim mbetjesh, në bazë të një marrëveshjeje të arritur mes dy bashkive, pa u konsultuar me komunitetin lokal dhe pa u marrë masa mbrojtëse për ndikimin në mjedis. Mbeturinat janë depozituar në një zonë të ndjeshme mjedisore, mbi fshat dhe në afërsi të burimeve ujore nëntokësore që furnizojnë me ujë të pijshëm banorët e zonës. Situata është përkeqësuar ndjeshëm, veçanërisht gjatë stinës së reshjeve, kur ndotja përhapet më lehtësisht në tokë dhe ujë. Banorët e pakët që kanë mbetur në këtë zonë të thellë malore raportojnë se uji i burimeve natyrore është bërë i papërdorshëm për konsum njerëzor dhe për përdorim në bujqësi apo blegtori. Përveç mbeturinave të zakonshme, në këtë venddepozitim janë hedhur edhe mbetje spitalore, të cilat paraqesin rrezik të lartë për shëndetin publik. Pavarësisht ankesave të përsëritura drejtuar Bashkisë së Klosit, situata nuk ka ndryshuar, ndërsa dëmi mjedisor dhe social vazhdon të thellohet. Banorët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa të menjëhershme për pastrimin e mbeturinave dhe rehabilitimin e zonës, ata do të detyrohen të largohen përfundimisht nga fshati. Kjo situatë tregon edhe një herë nevojën urgjente për një strategji të qëndrueshme menaxhimi të mbetjeve në nivel vendor, si dhe për një përgjegjshmëri më të lartë institucionale në mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mjedisit.