(VIDEO)“Shpëtohet” ura në Sukbull, ndërhyn firma mirëmbajtëse

(VIDEO)“Shpëtohet” ura në Sukbull, ndërhyn firma mirëmbajtëse

Pas disa kronikave të transmetuara në Mat Televizion mbi rrezikun që i kanosej urës në vendin e quajtur Sukbull të Zenishtit, pjesë e rrugës nacionale Burrel – Rrëshen, ka ardhur ndërhyrja. Ura rrezikohej të shembej për shkak të dëmtimi të pjesës hyrëse të këmbës në anën lindore të saj si rezultat i ujërave të shiut.
Ndërkohë, kompania e cila mori tenderin për mirëmbajtjen e këtij segmenti nga Shoshajt deri në Rrëshen ka ndërhyrë duke shmangur dëmtimin e mëtejshëm të urës.
Në momentin e ndërtimit, pjesa hyrëse lindore nuk ishte betonizuar e gjitha duke bërë që zhavori që ishte në mes të dilte e të binte në përrua si pasojë e ujit të vazhdueshëm që qëndronte mbi urë.
Ndërhyrja ka asistuar jo vetëm në mbushjen e hapsirës boshe, por edhe në plotësimin e pjesës anësore me beton dhe kanalit kullues, duke shmangur kështu dëmtimin në vazhdim të këmbës së urës.
Që me firmosjen e kontratës së mirëmbajtjes mes Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kompanisë, janë lënë disa detyra emergjente për të ndërhyrë në ura apo vende të tjera të cilat rrezikojnë të bllokojnë qarkullimin e automjeteve.