(VIDEO)SHIU FIK ZJARRET NË GJITHË QARKUN DIBËR

(VIDEO)SHIU FIK ZJARRET NË GJITHË QARKUN DIBËR
Pas disa javësh në luftë me flakët – shiu fik zjarret në të gjithë qarkun Dibër. Reshjet e shiut që nisën në mbrëmjen e 28 korrikut kanë bërë të mundur shuarjen e gjitha vatrave aktive të zjarreve në qarkun Dibër, duke eliminuar çdo zjarr të mbetur në zonat problematike. Tani situata raportohet si e qetë dhe e kontrolluar. Zjarret që po digjnin pyjet e Parkut Kombëtar “Lurë – Mali Dejës”, në malin e Allushit pranë Klosit, malin e Lepurit në Bulqizë dhe mbi fshatin Sinë në Arras të Dibrës janë fikur plotësisht gjatë natës së 28–29 korrikut. Katër vatrat prioritare tashmë janë neutralizuar, sipas informatave për publikun. Pas normalizimit të situatës, autoritetet vendore kanë planifikuar fillimin e përllogaritjes së dëmeve materiale në zonat e djegura plotësisht dhe pjesërisht. Në këtë pasqyrë do të përfshihen sipërfaqet me drurë të rritur ndër dekada dhe kullota të dëmtuara. Dëmi ekonomik pritet të jetë i madh, pasi pyjet me pishë të zezë dhe dru “Ahu” duan vite për t’u rikthyer në gjendjen origjinale. Flakët kanë dëmtuar jo vetëm bimësinë, por edhe faunën e zonës, duke shkrumbuar qindra lloje gjallesash lokale. Ky efekt ekologjik pritet të ketë pasoja afatgjata për ekosistemin. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e shkaktarëve të zjarreve. Policia po përqendron hetimet në fshatin Plan i Bardhë të Klosit dhe Lurë të Dibrës, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të dyshuar të zjarrvënieve, të cilat dyshohet se janë vënë qëllimisht. Duke patur parasysh rëndësinë ekologjike dhe turistike të Maleve të Dibrës, banorët e zonave të dëmtuara nga zjarret presin të përfshihen në projektet për rindërtimin e habitatit me mbjellje të reja pyjore dhe kontroll të menaxhimit të mbetjeve të djegura.