(VIDEO)Rruga Burrel – Skuraj një ndër arteriet më të degraduara të akseve nacionale në vendin tonë

(VIDEO)Rruga Burrel – Skuraj një ndër arteriet më të degraduara të akseve nacionale në vendin tonë
Është vetëm 36 kilometra por koha për ta përshkuar nga qyteti i Burrelit deri në Skuraj të Kurbinit është rreth 1 orë e 30 minuta. Kjo është gjendja reale e rrugës nacionale që lidh Qarkun e Dibrës me veriun e vendit tonë. Por kjo rrugë gjatë muajve të verës i shërben edhe një pjese të mirë të Maqedonisë së Veriut apo shteteve të tjera fqinje me të, për t’i lidhur me bregdetin e Adriatikut, nga Kurbini deri në Shkodër. Një pjesë e turistëve që vijnë nga shteti fqinj i Maqedonisë së Veriut përdorin këtë rrugë, por nuk rikthehen për herë të dytë për shkak të gjendjes së degraduar. Drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët shprehen se ky aks është lënë në mëshirë të fatit edhe pse u premtua nga kryeministri Rama gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 Majit që do të bëhej me riveshje të plotë. Drejtuesit e mjeteve thonë se dëmtimi i rrugës pengon zhvillimin e zonës në aspektin turistik ndaj kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme në të. Aksi rrugor nacional Burrel – Skuraj, prej 36 kilometrash, nuk është rehabilituar i plotë që prej ndërtimit të tij në vitin 1957, kur u hap nga regjimi i kohës.