(VIDEO)Rruga Bulqizë – Qaf Buall në gjendje të degraduar

(VIDEO)Rruga Bulqizë – Qaf Buall në gjendje të degraduar
Megjithëse nuk përdoret më si rruga lidhëse me rrugën e Arbrit, aksi nga qyteti i Bulqizës deri në Qaf Buall është një aks i rëndësishëm për zonën e Martaneshit por edhe për dhjetra subjekte minerare që ndodhen mbi lagjen e vjetër të qytetit. Që prej hapjes për qarkullim të rrugës së Arbrit, kjo rrugë ka mbetur në mëshirë të fatit pasi askush nuk kujdeset për të. Segmenti i është shkëputur inventarit të rrugëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe i ka kaluar pushtetit vendor. Megjithatë, as ky i fundit nuk ka ndërhyrë për ta mirëmbajtur. E gjithë rruga ka prani të madhe të gropave që janë hapur si rezultat i mosmirëmbajtjes së kanaleve kulluese anësore. Drejtuesit e mjeteve jashtë kameras thanë se prej disa vitesh në këtë rrugë nuk shihet asnjë punëtorë mirëmbajtje apo kompani që të kujdeset që ta mbajë rrugën në gjendje të mirë. Ata kërkojnë që ky aks të mos lejohet të degradohet në këtë gjendje pasi e përdorin çdo ditë. Më problematike situata bëhet në ditët me shi dhe në stinën e dimrit ku ka ngrica pasi nuk mirëmbahet nga askush.