(VIDEO)RASIM GJOKA NDEROHET (PAS VDEKJES) ME TITULLIN “QYTETAR NDERI” I BASHKISË MAT

(VIDEO)RASIM GJOKA NDEROHET (PAS VDEKJES) ME TITULLIN “QYTETAR NDERI” I BASHKISË MAT
Këshilli bashkiak Mat, në mbledhjen e së martës, i akordoi (pas vdekjes) titullin “Qytetar Nderi” intelektualit Rasim Gjoka, si vlerësim për kontributin e tij të spikatur në gazetari, arsim dhe forcimin e shoqërisë civile në vend. Në një ceremoni të ngrohtë dhe emocionale, familjarë, kolegë, shkrimtarë, analistë dhe figura të njohura publike ndanë kujtimet e tyre për Rasim Gjokën, duke e vlerësuar si një zë të mendimit të lirë, një mësues të përkushtuar dhe një model qytetarie. Vëllai i tij, shkrimtari dhe studiuesi Behar Gjoka, falenderoi autoritetet vendore për vlerësimin e dhënë dhe të gjithë pjesëmarrësit që e nderuan këtë figurë të spikatur të kulturës dhe shoqërisë shqiptare. Ai e cilësoi këtë titull si një kujtesë të fuqishme për figurat që, me përulësi dhe dinjitet, kanë lënë gjurmë në jetën publike të vendit. Në motivacionin e lexuar u theksua roli i tij si reporter i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, si mësues në zonën e Matit, pedagog në Universitetin e Tiranës, si dhe themelues i Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”, i cili promovoi paqen dhe dialogun social në gjithë vendin. Me këtë akt simbolik, Bashkia Mat jo vetëm që nderoi figurën e intelektualit Rasim Gjoka, por rikonfirmoi edhe njëherë vlerësimin për dijen, arsimimin dhe paqen sociale – ideale këto për të cilat ai punoi gjithë jetën.