(VIDEO)Mazniku e Klosi takim me kryetarët e katër bashkive të Qarkut Dibër

(VIDEO)Mazniku e Klosi takim me kryetarët e katër bashkive të Qarkut Dibër
Ministri për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku është ndalur këtë të enjte në Qarkun Dibër ku zhvilloi një takim me katër kryetarët e bashkive të këtij qarku. Takimi u zhvillua në kuadër të ristrukturimit të pushtetit vendor, një nismë e para disa ditëve që u lançua nga Kryeministri Edi Rama, i cili ju kërkoi drejtuesve të bashkive në të gjithë vendin që të ndryshojnë të gjithë administratorët e Njësive Administrative dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve në nivel vendor. Ministri Mazniku ishte i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherësh deputet i dalë nga zgjedhjet e 11 Majit në Qarkun Dibër, Blendi Klosi. Mazniku tha se këto ristrukturime vijnë në kuadër të procesit të integrimit europian ku synohet që të ketë shërbime më të mira ndaj qytetarëve. Nga ana tjetër, Klosi tha se transformimi është një kërkesë që duhet plotësuar për të qenë në standartet e Bashkimit Europian edhe pushteti vendor në vendin tonë. Të gjithë administratorët e Njësive Administrative të katër bashkive të qarkut Dibër tashmë janë dorëhequr dhe ka nisur procesi i zëvendësimit të tyre, ndërsa ende nuk është bërë plotësisht ky proces për drejtuesit e drejtorive vendore të dorëhequr.