(VIDEO)“Mati i fjalës së shkruar” – Promovohet libri i tretë i autorit Hasan Pasha

(VIDEO)“Mati i fjalës së shkruar” – Promovohet libri i tretë i autorit Hasan Pasha
Në mjediset e Bashkisë Mat u promovua këtë të hënë libri më i ri i autorit dhe intelektualit matjan, n/prefektit të Matit Hasan Pasha, monografia “Mati i fjalës së shkruar”. Ngjarja u organizua nga Klubi Letrar dhe Biblioteka “Pjetër Budi” Mat, duke mbledhur figura të njohura të letrave, studiues, historianë dhe dashamirës të librit. Hamdi Hysuka, kryetar i Klubit Letrar “Pjetër Budi”, Mat, njëherazi redaktor i librit “Mati i fjalës së shkruar”, e cilëson këtë vepër si një thesar për vlerat letraro-artistike të komunitetit matjan, që meriton vëmendjen e çdo lexuesi – nga nxënësit dhe studentët, te studiuesit dhe dashamirët e librit. “Ky libër – thanë oratorët që morën fjalën në këtë promovim,- është vlerë e shtuar për vlerat letraro-kulturore të Matit, që përfshin rreth 200 autorë që kanë dhënë kontribut në fushën e fjalës së shkruar.” Urimet mbi këtë botim të vlerë për Matin e matjanët i erdhën autorit edhe nga Deputeti i zgjedhur i qarkut Dibër, ish-kryebashkiaku i Matit Agron Malaj, Kryetari në detyrë i Bashkisë Mat Myslim Zeneli, si dhe i ftuari i nderit gazetari i mirënjohur Ksenofon Ilia, të cilët vlerësuan lart punën e autorit Hasan Pasha, duke e cilësuar veprën e tij më të re “Mati i fjalës së shkruar” si një pasuri për trevën e Matit dhe brezat që vijnë. Në fjalën e tij, autori Hasan Pasha theksoi se monografinë “Mati i fjalës së shkruar” e ka konceptuar si një mision për ruajtjen e kujtesës kulturore matjane dhe si një urë frymëzimi për vendlindjen për brezat e rinj. Veçantinë e ngjarjes promovuese e shtuan edhe mesazhet e përcjella nga familjarët e autorit si dhe pyetjet nga lexuesit e rinj, që treguan interes të veçantë për tematikën dhe përmbajtjen e librit. Promovimi u mbyll mes emocionesh, nën shoqërinë e një kokteili për të pranishmit, duke lënë pas një ditë të shënuar për kulturën matjane dhe për vetë autorin Hasan Pasha, që vijon të pasurojë letrat shqipe me vepra të vlera.