(VIDEO)Lufte me flaket ne qarkun e Dibres

(VIDEO)Lufte me flaket ne qarkun e Dibres

Që nga e hëna, zjarrfikës, punonjës të AZDM-së, të shërbimit pyjor, bashkive dhe banorë të zonave të prekura në qarkun e Dibrës po luftojnë pa ndërprerje me flakët që kanë përfshirë ekositeme të tëra. Por situata më kritike ndodhet në fshatin Tërnovë pranë Liqenit të Zi, në Njësinë Administrative të Zerqanit në Bashkinë Bulqizë.
Zjarri, i ndihmuar nga temperaturat e larta dhe era e fortë, ka përfshirë ahishtet dhe pyjet me pisha shumëvjeçare. Sipas Prefektit të qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, në terren ndodhen mbi 70 forca zjarrfikëse, të ushtrisë, të bashkisë dhe nga biznese private të minierave të kromit.
Megjithatë, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen e plotë për të shuar vatrën kryesore të zjarrit. Flakët janë përhapur në mënyrë të pakontrollueshme, duke rrezikuar djegien e shtëpive.
Mbrëmjen e së martës forcat në terren arritën të shmangnin djegien e banesave në zonën e Valit të Martaneshit, një tjetër vatër zjarri kjo e përhapur në këtë zonë. Për shkak të vështirësisë së terrenit, edhe këtu kërkohet ndërhyrje ajrore për ta vënë situatën nën kontroll.
Ndërkohë që zjarret dyshohet të jenë të qëllimshme, policia po heton për kapjen e autorëve të mundshëm të kësaj vepre penale. Gjithashtu punonjësit e policisë po monitorojnë situatën në të dy vatrat kryesore të zjarrit në Bulqizë, që kanë përshkuar disa hektarë bimësi, duke sjellë një dëm të parikuperueshëm për florën e faunën.