(VIDEO)Lagjja “Vajkal 2” e lënë në harresë, 500 metra rrugë që prej vitesh mbeten vetëm premtim

(VIDEO)Lagjja “Vajkal 2” e lënë në harresë, 500 metra rrugë që prej vitesh mbeten vetëm premtim
Lagjja “Vajkal”, një nga më të vjetrat në Bashkinë e Bulqizës, vazhdon të përballet me mungesë të theksuar infrastrukture, pavarësisht se duhej të ishte ndër zonat më të zhvilluara të qytetit. Problemi kryesor për këtë lagje mbetet rruga që lidh qytetin e ri me lagjen “Vajkal 2”, një segment prej vetëm 500 metrash, i cili prej vitesh është premtuar në çdo fushatë elektorale, por asnjëherë nuk është realizuar. Në kohë me reshje shiu, rruga bëhet pothuajse e pakalueshme për shkak të mungesës së kanaleve anësore, duke mbushur gropat me ujë. Ndërsa gjatë verës, banorët përballen me pluhurin dhe bllokimin e saj nga ferrat që askush nuk i pastron. Autoritetet përgjegjëse, sipas banorëve, nuk kanë marrë as masat minimale si mbushja e gropave apo hapja e kanaleve kulluese. Situata bëhet edhe më shqetësuese me nisjen e vitit shkollor më 8 shtator, pasi fëmijët e zonës janë të detyruar ta përshkojnë këtë rrugë në këmbë, duke kaluar mes baltës dhe ujërave të stinës. Edhe drejtuesit e mjeteve ankohen se kushtet janë të papranueshme dhe se kërkesat e tyre kanë mbetur të pashqyrtuara. Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë, duke rikujtuar se 500 metrat e premtuara në fushata elektorale nuk janë thjesht çështje infrastrukture bazike, por domosdoshmëri për jetën e përditshme të komunitetit.