(VIDEO)HASAN PASHA: “MATI I FJALËS SË SHKRUAR”

(VIDEO)HASAN PASHA: “MATI I FJALËS SË SHKRUAR”
Në rubrikën “Libra të rinj matjanë”, këtë herë ndalemi te një botim që vjen si një monument përkujtimor dhe një urë frymëzuese për brezat e rinj: monografia “Mati i fjalës së shkruar”, një vepër e rëndësishme e autorësisë së publicistit, gazetarit dhe intelektualit, njëherazi nënprefekt i Matit, Hasan Pasha. Ky libër i dedikohet rreth 200 figurave letrare dhe kulturore të trevës së Matit. Libri nuk është thjesht një arkiv emrash, por një përpjekje e sinqertë për të ruajtur kujtesën kulturore të një treve me rrënjë të thella historike dhe shpirtërore. Nga poetë e shkrimtarë, te studiues, historianë, publicistë dhe përkthyes, të gjithë përfaqësohen me jetëshkrime të shkurtra dhe bibliografi të veprave. Autori Hasan Pasha, një emër i njohur në median e shkruar dhe vizive, e ka konceptuar këtë libër si një mjet njohjeje, vlerësimi dhe frymëzimi. Me ndjeshmëri dhe përgjegjësi, ai ka përmbledhur kontributet e autorëve që kanë lindur, jetuar ose krijuar në Mat, duke ndriçuar dimensionin intelektual të kësaj treve. Në faqet e librit gjejmë emra të njohur si Pjetër Budi – poeti i parë shqiptar, Ibrahim Dalliu, Mathieu Aref, Dilaver Kurti, Basir Bushkashi, Behar Gjoka, Hamdi Hysuka, Lindita Doda, Rakip Lasku, Albert Nikollaj, Fatmir Gjestila e shumë të tjerë, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën e letrave. Hamdi Hysuka, kryetar i Klubit Letrar “Pjetër Budi”, Mat, njëherazi redaktor i librit “Mati i fjalës së shkruar”, e cilëson këtë libër si një thesar për vlerat letraro-artistike të komunitetit matjan, që meriton vëmendjen e çdo lexuesi – nga nxënësit dhe studentët, te studiuesit dhe dashamirët e librit. Përmes kësaj vepre, Hasan Pasha na kujton se çdo kontribut letrar, sado modest të duket, është një gur në ndërtimin e përbashkët të shpirtit kombëtar. Ai na fton të ndalemi, të lexojmë dhe të vlerësojmë ata që me penë kanë lartësuar Matin dhe Shqipërinë. “Mati i fjalës së shkruar” është më shumë se një libër. Është një mision për ruajtjen e kujtesës, një dritare drejt të kaluarës dhe një pasuri për të ardhmen. I konceptuar si i tillë, autori matjan Hasan Pasha nuk lë pa përfshirë në përfundim të këtij botimi edhe poetë e shkrimtarë të vendlindjes së tij Gjoçaj, por edhe autorë jomatjanë, që jetuan, punuan dhe krijuan në Mat, duke e bërë librin mjaft interesant. “Mati i fjalës së shkruar” është libri i tretë i Hasan Pashës, i cili është edhe autor i librit monografik “Fisnikët e Matit” si dhe i vëllimit publicistik “Të pathënat e 30 viteve”. Klubi letrar “Pjetër Budi” dhe Biblioteka Publike Mat promojnë librin më të ri “Mati i fjalës së shkruar” të autorit Hasan Pasha, të hënën në ora 10:00, në sallën e mbledhjeve të Këshillit bashkiak Mat.