(VIDEO)Futboll / Hidhet shorti i kategorisë së parë, mësohet kundërshtari i javës së parë për Burrelin

(VIDEO)Futboll / Hidhet shorti i kategorisë së parë, mësohet kundërshtari i javës së parë për Burrelin
Vetëm një muaj na ndan nga fillimi i sezonit të ri futbollistik 2025 – 2026 për kampionatin e kategorisë së parë. Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet departamentit të garave ka hedhur shortin për përballjet e para të këtij sezoni. Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin përfaqësuesit e 12 klubeve pjesëmarrëse të këtij edicioni, të cilët kanë mësuar nga goglat e hedhura kundërshtarët që do të kenë përballë gjatë këtij edicioni. Në këtë edicion të ri, që do të ngrejë siparin më 23 gusht 2025 dhe është planifikuar të mbyllet më 2 maj 2026 do të marrin pjesë 12 skuadra që do të garojnë në tre faza dhe do të luhen në total 33 javë. Në kampionatin e ‘Kategorisë së Parë’ do të marrin pjesë këto ekipe: Skënderbeu, Burreli, Iliria, Laçi, Kukësi, Apolonia, Luftëtari, Korabi, Besa, Kastrioti, Pogradeci dhe Lushnja. Ekipi ynë i futbollit do ta nisë këtë kampionat me ndeshje në transfertë ku do të luajë me 23 Gusht në Korçë përballë ekipit të Skënderbeut. Ndërsa në javën e dytë ekipi i “Burrelit” do të presë në “Liri Ballabani” ekipin e Kukësit. Tashmë ekipet kanë vetëm një muaj kohë për të zyrtarizuar lojtarët me të cilët do të përfaqësohen në sezonin e ri 2025 – 2026. Trajneri i ekipit “Burreli”, Samuel Nikaj, i rikthyer pas disa vitesh në drejtim të skuadrës matjane, u shpreh pak ditë më parë se janë afruar shumë lojtarë pranë “Burrelit”, mes tyre edhe cilësorë që janë premtues. Megjithatë, sipas numrit një të pankinës matjane, merkatoja e verës vijon dhe se përzgjedhjet e lojtarëve do të bëhen të studiuara në mënyrë graduale.