(VIDEO)Dibër/ Akuzohen se vranë Renis Dobrën, gjykata vendos arrest me burg për Petrit Çakërrin dhe Fation Bushgjokajn
Është mbajtur këtë shtunë seanca e masës së sigurisë ndaj dy të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra nga fshati Zenisht i Matit.
Petrit Çakrri dhe Fation Bushgjokaj dolën para togave të zeza për tu njohur me masën e sigurisë ndaj tyre. Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për të dy të dyshuarit e vrasjes së 23-vjeçarit Dobra, ku paraqiti provat paraprake të përfshirjes së tyre në ngjarjen kriminale të ndodhur me datë 8 Korrik. Kërkesa u miratua nga gjyqtarja Enkeleda Halilaj duke i dhënë prokurorisë kohë për të përfunduar hetimet. “Arresti me burg” për dy të dyshuarit u arsyetua me argumentin e largimit të mundshëm të tyre si dhe prishjen e provave. Nga ana tjetër mësohet se dy të akuzuarit për pengmarrjen dhe vrasjen e të riut matjan i kanë mohuar akuzat para trupit gjykues.
Petrit Çakrri sëbashku me tre vëllezërit Fation, Aleksandër e Kristi Bushgjokaj akuzohen se rrëmbyen, dhunuan dhe mbytën me litar duke e hedhur më pas në liqenin e Shkopetit, 23-vjeçarin Renis Dobra nga fshati Zenisht i Matit. Dy nga vëllezërit Aleksandër e Kristi Bushgjokaj dyshohet se janë larguar jashtë shtetit nëpërmjet kufirit me Kosovën.
Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me përfshirjen në një aktivitet të paligjshëm në Gjermani mes viktimës dhe vëllezërve Bushgjokaj për një sasi lënde narkotike të zhdukur. Ndërkohë policia është vënë në kërkim të vëllezërve të larguar, të cilët janë identifikuar si të përfshirë në ngjarje nëpërmjet kamerave të sigurisë në qytetin e Burrelit dhe ato të bizneseve në rrugën nacionale Burrel – Skuraj.