(VIDEO)Arrestohen dy nga vrasësit e Renis Dobrës

(VIDEO)Arrestohen dy nga vrasësit e Renis Dobrës
Një javë nga vrasja e 8 korrikut që tronditi Matin, ku disa persona morën peng 23-vjeçarin Renis Dobra dhe pasi e torturuan e mbytën dhe e hodhën në liqenin e Shkopetit, policia ka vënë në pranga dy nga 4 autorët e dyshuar që kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe vrasjen e të riut: Petrit Çakrri, dhe tre vëllezërit: Fatjon, Kristi e Aleksandër Bushgjokaj. Petrit Çakrri është arrestuar në fshatin Lekbibaj të Tropojës ndërsa Fatjon Bushgjoka është kapur në zonën e “Astirit” në Tiranë. Dy vëllezërit e tjerë Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj janë shpallur në kërkim. Policia ka shoqëruar edhe të dashurën e Fatjon Bushgjokës, për tu pyetur mbi lëvizjet e këtij të fundit. Sic duket në këto pamje, autorët të cilët lëviznin me një “Range Rover” dhe një “Hyndai” të marrë me qira, e kanë ndjekur të riun Renis Dobra deri sa në një moment e kanë parakaluar, për ta ndaluar pranë shtëpisë në fshatin Zenisht. Nën kërcënimin e armëve, ata kanë marrë peng 23-vjecarin dhe janë larguar në rrugën Burrel – Skuraj. Agresorët e kanë dhunuar rëndë të riun dhe në përpjekje për ta bërë të flasë e kanë mbytur me litar. Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur pranë sektorit “C” në Shkopet automjetin e 23-vjeçarit, bashkë me trupin e tij të pajetë, me qëllim që të zhdukeshin në thellësitë e liqenit të Shkopetit. Por gjatë rënies, trupi i të riut ka dalë nga mjeti duke mbetur në breg, dhe vetëm automjeti ka përfunduar në liqen, ku dhe u gjet më pas. Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit Dobra, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kanë përdorur asnjë logo apo automjet të Policisë, siç ishte përfolur më parë. Konflikti mes autorëve të krimit dhe viktimës besohet se ka nisur në Gjermani, ku 23-vjeçari dyshohet se shpërndante drogë për llogari të vëllezërve Bushgjokaj. Petrit Çakrri dhe tre vëllezërit Bushgjokaj dyshonin se Dobra i kishte mashtruar në biznesin e trafikut të drogës. Tre vëllezërit Kristi, Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj nga Tropoja të cilët jetonin në Kamëz dhe Petrit Çakrri, sipas policisë i kanë marrë makinat me qira në Rinas dhe Yzberisht disa ditë para kryerjes së krimit. Ata i kanë ndërruar mjetet disa herë për të humbur gjurmët, ndërsa e kanë ndjekur 23-vjecarin për 3 ditë me radhë në Burrel. Një prej vëllezërve Bushgjokaj akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit pasi rezulton se ka dërguar në Kosovë dy vëllezërit e tij. Ndërsa dy vëllezërit e tjerë akuzohen se kanë marrë pjesë në krimin e rëndë.