VIDEO/Nis ndërhyrja në skarpatën e rrugës së Arbrit
Pas bërjes mediatike të lajmit, firma “Gjoka Konstruksion” ka nisur punën për riparimin e skarpatës në afërsi të tunelit të Murrizit, në anën e Tiranës. Çarja e betonit, që ishte hedhur mbi rrugë, ishte kthyer në një rrezik të madh për të gjithë drejtuesit e automjeteve për shkak se rrezikonte të binte në asfalt në çdo moment. Ndërkohë, kompania në fjalë ka nisur ndërhyrjen të premten dhe pritet që ta bëjë nga fillimi gjithë skarpatën e rrugës, rreth 2 km larg tunelit të Murrizit në fshatin Maricë të Tiranës. Mjetet e kompanisë janë në terren dhe vetëm pasi ka nisur ndërhyrja është vendosur sinjalistika informuese për drejtuesit e mjeteve që tregon se në këtë zonë po punohet. Ekspertë të ndërtimit të rrugëve thanë se dëmtimi ka ardhur si pasojë e fryrjes së tokës me ujë, për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shirave, por edhe mundësisë së vogël për të qarkulluar uji, për shkak se kompania e ndërtimit kishte vendosur shumë pak tuba kulluese. Një tjetër detaj sipas ekspertëve është edhe mospërdorimi i hekurit në betonizimin e skarpatës, ç’ka e ka bërë atë jo rezistent ndaj kushteve të tilla atmosferike, si ato në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe muajt e parë të këtij viti.