Vëzhgimi. Burrel, qytetarët dynden dyqaneve në orarin 05.00 me 13.00

0

Pas një izolimi total prej më shumë se 40 orësh, qytetarët matjan janë dyndur paraditen e së hënës për të bërë furnizimet e nevojshme. Rrugët e qytetit të Burrelit ishin si në një ditë të zakonshme.

Qytetarët u grumbulluan në dyqane, supermarket, pika të tregtimit të frutaperimeve, ku në të shumtën e rasteve nuk u respektua distanca mes tyre prej 1.5 metër.

Të gjithë nxitonin për të blerë produktet bazike e për tu rikthyer në banesë para se të skadonte afati që është në orën 13:00. Kjo fashë orari është vendosur nga autoritetet për gjatë gjithë kësaj jave. Por siduket kjo nuk është edhe aq efektive pasi krijohen grupime njerëzish në dyqane, apo supermarkete.

Pamja do të ndryshonte sapo akrepat e orës do të shënonin 13:00. Rrugët nisën të boshatiseshin, dyqanet, supermarketet, farmacitë, furrrat e bukës, u mbyllën. Ndërkohë qytetarët iu drejtuan banesave të tyre për të qëndruar deri në orën 5 të mëngjesit të së Martës. Në rrugë tashmë janë vetëm forcat e policisë, të ushtrisë dhe policia bashkiake që monitorojnë gjithë territorin, nga shkelësit e karantinës.

Ndërkohë gjatë kohës së karantinës, nuk do të lejohet askush të qarkullojë veç, policisë së shtetit, forcave të armatosura, policia bashkiake, punonjësit e medias dhe punonjës të sektorëve kyç të shërbimeve të administratës vendore e qëndrore.