Vettingu në polici. Vjen shkarkimi i parë

0

Vettingu në policinë e shtetit ka nisur me përjashtime. Inspektori i Ankesave në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Policisë së Tiranës, Oltion Shehu u përjashtua sot radhët e Policisë së Shtetit, pasi iu gjetën shkelje në aspektin e pasurisë. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit pasi shqyrtoi raportet vendosi sot që ta përjashtonte Shehun. Por cilat ishin shkeljet që dogjën Shehun?
Në lidhje me kolonën e integritetit moral, ai rezultoi i pastër pa kontakte me botën e krimit ndërsa në lidhje me pasurinë rezultoi se nuk justifikonte të ardhurat për ndërtimin e një banesë dy-katëshe. Edhe nga ana profesionale sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, Shehu rezultoi me probleme pasi ndaj tij kishte dy herë masë administrative të vërejtje nga eprorët. Për të justifikuar pasurinë e tij Shehu tha se këtë profesion e ka ushtruar prej vitit 1996 deri në vitin 2003 pa e ditur se aty kishte qenë i pasiguruar, por sipas tij kishte fitime të mëdha edhe për shkak të bakshisheve.
Pra, puna e dy dekadave më parë si menaxher në një sallë bingoje dhe të ardhurat e fituara aty i dogjën karrierën Oltion Shehut, që në përfundim të seancës ku u dha vendimi nuk pranoi që të jepte asnjë koment. Por cfarë ndodh tani? E ndërsa në rastin e vettingut për njerëzit e drejtësisë kemi termin ‘shkarkim’, këtu është ‘përjashtim’ pra nga radhët e policisë. Njerëzit e drejtësisë apelimin e bëjnë te Kolegji i Posaçëm, ndërsa në rastin e vettingut në policinë e shtetit, të shkarkuarit duhet ti drejtohen Gjykatës Administrative.