Vetëm në 1 nga 30 urat e planifikuara për ndërtim kanë nisur punimet
Vetëm në 1 nga 30 urat e planifikuara të ndërtohen nga e para në të gjithë rrjetin kombëtarë rrugor ka nisur të ndërtohet. Bëhet fjalë për projektin 100 milion dollarësh që qeveria shqiptare siguroi si hua nëpërmjet Bankës Botërore 5 vite më parë. Në vitin 2022 duhej të niste zbatimi i projektit në terren pas inspektimeve në terren të 100 urave në të gjithë rrjetin rrugor kombëtar. Në një përgjigje për “Mat Televizion”, Zyra e Projekteve pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar sqaron se “Programi ofron një paketë financimi prej 100 milionë dollarësh për të rehabilituar, rikonstruktuar ose ndërtuar 30 ura me ndjeshmëri ndaj klimës dhe për të forcuar menaxhimin afatgjatë të aseteve rrugore në të gjithë rrjetin kombëtar. Zbatimi i Fazës 1 (55 milionë dollarë) mbulon 15 ura prioritare, ndërsa Faza 2 (45 milionë dollarë) pritet të miratohet në vitin 2027 për të financuar rehabilitimin e 15 urave të mbetura. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është agjencia zbatuese përgjegjëse për programin. ARRSH është autoriteti kontraktues dhe tenderues për projektimin dhe ndërtimin e urave të financuara nga programi” – thuhet ndër të tjera në përgjigjen zyrtare. Por për urën e Karicës që është pjesë e rrugës nacionale Burrel – Skuraj nuk ka ende një afat se kur mund të nisë ndërtimi. Zyra e Projekteve pranë ARRSH shton se “Zbatimi i programit po përparon me urën e Viroit, teksa pritet së shpejti të nisin punimet për urën e Beshirit. Projektet për 12 ura të tjera prioritare janë finalizuar, duke synuar nisjen e zbatimit të punimeve përgjatë vitit 2026”. Pra ura e Karicës do të vijojë të jetë e bllokuar në një afat të pacaktuar.