Rekamë

Pas hedhjes së shtresës së dytë asfaltike në segmentin e rrugës së Arbrit nga Ura e Çerenecit deri në Maqellarë, firma ka nisur punën për vendosjen e sinjalistikës horizontale.

Prej ditësh po punohet për ndarjen me vija të bardha të rrugës, sinjalistikë kjo e cila do të jetë përfundimtare. Veç ndarjes së rrugës sinjalistika horizontale përfshin edhe paralajmërimet e tjera për drejtuesit e mjeteve si kufizimin e shpejtësisë, degëzimet e rrugës etj.

Një nga përfaqësuesit e firmës tha se puna do të vijojë pa ndërprerje deri në plotësimin e gjithë sinjalistikës horizontale nga Ura e Çerenecit deri në Maqellarë.

  Pas përfundimit të sinjalistikës horizontale pritet të ndryshojë edhe ajo vertikale ku do të ketë kufi tjetër shpejtësie nga ai i cili ishte gjatë kohës kur rruga ishte ende e papërfunduar.

Aksi rrugor pjesë e rrugës së Arbrit që kalon nga Gjorica ka qenë i qarkullueshëm për automjetet prej shumë muajsh, ndërsa deri tani janë shënuar disa aksidente për fat të keq me humbje jete njerëzore.