Vendos një gol “i rëndë”, Interi “arratiset” drejt titullit, Juventusi dështon në Milano

Vendos një gol “i rëndë”, Interi “arratiset” drejt titullit, Juventusi dështon në Milano

Interi thyen minimalisht Juventusin në “Stadio Giuseppe Meazza” me shifrat 1-0. Një sukses shumë i rëndësishëm, me shumë peshë, që mund të vendosë në fund edhe titullin kampion. Zikaltërit e nisën “zjarr” ndeshjen, madje duke ushtruar presion konstant në portën e mbrojtur nga Wojciech Szczesny.

Ishte Mkhitaryan që tentoi të zgjidhë sfidën me një goditje nga distanca, por muri bardhezi i tha jo. Më pas, të besuarit e Inzaghit rritën presionin, një top perefekt i Dimarcos, nuk u shfrytëzua si duhet nga francezi, i cili bëri më të vështirën. Edhe nga fare pranë, Thuram nuk shtyu dot topin në rrjetë.

“Zonja e Vjetër” u shfaq pas gjysmë ore lojë në portën e vendasve. Zbritja e Juventusit mund të përfundonte me gol, nëse Vlahovic do tregohej i saktë.
Djemtë e Max Allegrit e panë veten në disavantazh në minutën e 37-të, kur një devijim i Gattit i dhuroi epërsinë skuadrës nga Milano.

Në fillimin e pjesës së dytë, një e majtë tokazi e Dimarcos shkaktoi drithërima te torinezët, por vetëm kaq, pasi topi doli jashtë. Në të 58-tën, Calhanoglu “flirtoi” me golin e sigurisë, vetëm shtylla ndali mesfushorin turk.

Interi festoi në fund dhe me të drejtë. Përveç fitores në Derbi D’Italia që kënaq tifozët, aktualisht kryeson kampionatin me 57 pikë, 4 pikë më shumë Juvja, për më tepër edhe një ndeshje më shumë në dispozicion.