Ndërsa të enjten në mbrëmje shoqëria civile protestoi në kryeqytet për vdekjen tragjike të 7-vjeçares që u vra pak ditë më parë në Potam të Himarës pasi u përplas nga një skaf që drejtohej nga efektivi i policisë së shtetit Arjan Tase, edhe banorët e qarkut Dibër në opinionet e dhëna e kanë dënuar këtë ngjarje.
Madje qytetarët e intervistuar të Bulqizës dhe Klosit kanë kërkuar dënim maksimal për ekzekutorin e të miturës. Jashtë kameras ata kërkojnë dënimin me vdekje për të, ndonëse e dinë fare mirë se ky dënim nuk ekziston në legjislacionin shqiptar.
Të intervistuarit fajësojnë për ngjarjen e rëndë policinë e shtetit, si dhe i bashkohen thirrjes së shoqërisë civile për dorëheqje të menjëhershme e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nanos dhe ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
Gjykata e Vlorës ka vendosur këtë të premte masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj komisarit të policisë Arjan Tase, i cili vrau me skaf 7-vjeçaren Jonada Advdia, mesditën e të martës në plazhin e Potamit në Himarë.