
Qyteti i Laçit në Kurbin është kthyer në një zonë tepër të ndotur për shkak të shembjeve të vazhdueshme të pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Në qytetin e Laçit është vendosur nga inxhinjerët të shemben 7 nga pallatet e shpallura të pabanueshëm. Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara tha se procesi vijon papushim dhe se shumë shpejt godinat e rrezikshme, do të rrënohen.
Sa i përket banorëve që jetonin në pallatet që po shemben, një pjesë e tyre janë sistemuar në hotelet e Shëngjinit, ndërsa për pjesën tjetër po jepen bonueset e qirasë. Mbi 300 banesa janë dëmtuar në zonat rurale, ku për pjesën më të madhe të tyre janë vendosur çadra dimërore pasi nuk mund të largohen për shkak të bagëtisë.
Bashkia e Kurbinit ishte ndër më të prekurat nga tërmeti i 26 Nëntorit i cili shkaktoi plot 51 viktima e shumë dëme materiale.