Vazhdon ndotja në Shkopet, Bashkia pastro, kalimtarët e ndotin

Vazhdon ndotja në Shkopet, Bashkia pastro, kalimtarët e ndotin

Zona e njohur si “Vabli” buzë rrugës nacionale Burrel-Skuraj, në Shkopet, vijon të ndotet nga persona të papërgjegjshëm. Pika më e ndotur mbetet ajo pranë burimit të ujit ku qytetarë nga zona të ndryshme shkojnë për të mbushur ujë për konsum. Siç duket nga pamjet, aty hidhen bidona plastik të cilët dalin jashtë përdorimit ose vetë ata që shkojnë aty i seleksionojnë dhe zgjedhin më të mirët. Megjithëse kjo zonë pastrohet vazhdimisht nga Bashkia e Matit, ndotja rikthehet. Kalimtarët apo ata që shkojnë posaçërisht për të mbushur ujë në Vabli, injorojnë dukshëm sinjalistikën e vendosur për të mos hedhur mbeturina aty. Qindra bidonë plastik janë hedhur në anën e poshtme të rrugës duke krijuar një pamje të shëmtuar dhe ndotje të madhe të zonës. Duke qenë se lugina e Shkopetit është ndër më të frekuentuarat gjatë gjithë vitit edhe nga turistë të huaj, ndotja është impakti më negativ me të cilën përballen vizitorët. Sipas banorëve të zonës, ndëshkimi i ndotësve nëpërmjet kamerave të vëzhgimit dhe ndëshkimi penal i tyre mbetet opsioni i vetëm që ndotja në këtë zonë piktoreske të mos vazhdojë dhe mjedisi të jetë i pastër.