VAZHDON ÇARJA E PJESËS SË POSHTME TË RRUGËS SË ARBRIT NË FSHATIN PLAN I BARDHË
Rruga e Arbrit në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë Klos vijon të jetë e rrezikuar. Në një gjatësi të konsiderueshme kjo rrugë ka pësuar çarje në anën e poshtme duke rrezikuar gjithë trasenë. Edhe pse kjo ka ndodhur prej javësh, ende deri tani nuk është marrë asnjë masë, teksa firma ndërtuese nuk ka bërë ndërhyrje. Pjesa e shembur i përket një muri mbrojtës që ishte ndërtuar pak poshtë trasesë së rrugës, ndërsa tani ka nisur të hapet zgavër nën asfalt. Reshjet e shiut të rëna në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe muajt e parë të këtij viti nxorrën në pah problemet në këtë rrugë ku, në mungesë të një sistemi të mirëfilltë për kullimin e ujërave, pati çarje të anës së poshtme të rrugës duke vënë në rrezik gjithë trasenë. Specialistët thonë se Rruga e Arbrit në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë Klos nuk duhej të kishte probleme të tilla pasi është ndërtuar që në vitin 2011 dhe bazamenti i rrugës ka qenë i qëndrueshëm. Ata e lidhin këtë fenomen me mungesën e dranazhimit dhe ndërtimit të kanaleve të betonizuara grumbulluese të ujit që nga Qafa e Buallit. Po ashtu, Rruga e Arbrit vijon të ketë probleme edhe në segmentin nga tuneli numër 2 deri tek tuneli i Murrizit, në Njësinë Administrative Xibër të Bashkisë Klos.