Vazhdojnë përplasje PD-Qeveri edhe pas protestës së dhunshme në Tiranë

Vazhdojnë përplasje PD-Qeveri edhe pas protestës së dhunshme në Tiranë
Përplasjet politike vetëm sa janë rritur në Shqipëri pas protestës së të shtunës, ku u raportua për shumë të lënduar e përdorim të gazit lotsjellës me afat të skaduar. Kryetari i partisë opozitare, PD, Sali Berisha, ka fajësuar Qeverinë për dhunë të pakontrolluar e kryeministri Edi Rama i ka quajtur veprimet e protestuesve me jashtëqitje, teksa për Berishën ka thënë se është i lajthitur. Përplasje të forta mes opozitës dhe Qeverisë në Shqipëri janë shënuar edhe të dielën, një ditë pas protestës së dhunshme. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka fajësuar Qeverinë për arrestime arbitrare, përdorim të gazit lotsjellës me afat të skaduar e dhunë të pakontrolluar ndaj protestuesve. “Përdori dhunë të egër ndaj protestuesve, goditi me të gjitha mjetet, përdori gaz lotsjellës i cili në konventa ndërkombëtare përbën helm luftarak dhe s’mund të përdoret kurrë ndaj protestave…U përdorën topa të ujit dhe mjete tjera, u goditën me shkopinj, u ndaluan brutalisht në akte që lartësohen në krime kundër njerëzimit”, ka thënë Berisha. Në konferencën e së dielës, Berisha ka shprehur bindjen se rinia do ta rrëzojë Ramën nga pushteti. “U dominua nga guximi, energjia dhe vendosmëria e të rinjve. Një ogur i bardhë shumë për shqiptarët, një shpresë e vërtetë se do të jenë të rinj dhe gjenerata e tyre ata të cilët do ta përmbysin, do të largojnë nga pushteti këtë organizatë kriminale”, ka thënë ai. E kryeministri Rama, në reagimin për dhunën, ka aluduar se protestuesit janë mercenarë të paguar nga PD-ja. “Po qysh nga koha e partive famëkëqija të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Evropë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë”, është shprehur Rama. Rama i ka krahasuar veprimet e protestuesve me jashtëqitje, tek e ka quajtur Berishën plak të lajthitur. Ai po ashtu u ka dëshiruar shërim të shpejtë policëve të lënduar e Berisha ka mohuar se është lënduar ndonjë zyrtar në uniformë. Policia, në njoftimin pas protestës, ka bërë të ditur se të paktën 11 policë janë lënduar.