Valikardha, fshati i kumbullave autoktone

Valikardha, fshati i kumbullave autoktone

Stina e pranverës ndez gjithonë ngjyrat e bimëve të ndryshme, ndërsa rast i veçantë mbetet fshati Valikardhë në Bulqizë. Në këtë periudhë i gjithë fshati është në një bardhësi e cila vjen nga çelja e luleve të kumbullës. Banorët e zonës tregojnë se këto kumbulla nuk janë varietete hibride të mbjella, por janë në gjendje të egër dhe janë autoktone të zonës. Pamja që përcillet në këtë periudhë është shumë e bukur me lulet që kanë mbuluar thuajse gjithë fshatin, ndërsa banorët deklarojnë se prej saj kanë shumë përfitime. Një pjesë e banorëve e mbledhin frutin e kumbullës pasi piqet dhe e ziejnë raki, por bletarët e përdorin kryesisht për kullotën e bletës. Sipas banorëve të Valikardhës, jo vetëm fshati i tyre, por një pjesë e madhe e zonës së Bulqizës është e mbushur me pemët e kumbullës së egër apo autoktone të zonës. Pemët e kumbullës së egër në këtë fshat nuk janë të parcelizuara por ato janë vendosur në gjendje të lirë, pranë banesave, rrugëve të fshatit, apo në shpatin e malit, duke i dhënë një pamje tërheqëse gjithë zonës.