Vali i Martaneshit, dikur në errësirë të plotë, sot po thahet për ujë
Fshati Val është ndër fshatrat më të thellë të krahinës së Martaneshit, por një fshat që në të ka ende jetë. Pas rreth 20 viteve në errësirë të plotë si rezultat i dëmtimit të rrjetit të energjisë elektrike, banorët janë rikthyer për të jetuar aty, pasi ishin larguar vite më parë. Rreth 80 familje mbajnë gjallë jetën në këtë fshat mes maleve të larta të Martaneshit, ndërsa ata që ishin larguar në emigrim, janë kthyer dhe kanë investuar. Njëri prej të rikthyerve, Roland Hasa, thotë se ka investuar në vendlindje me shpresën për ta zhvilluar më tej fshatin në aspektin turistik. Tani që energjia elektrike është rikthyer, kryefjalë e banorëve mbetet uji i pijshëm. Ujësjellësi i vjetër është dëmtuar totalisht, ndaj dhe banorët vuajnë për ujin e pijshëm pasi nuk ka burime afër banesave. Ata i bëjnë apel pushtetit vendor që të investojë në këtë drejtim në mënyrë që fshati Val të kthehet në një atraksion turistik e jo të braktiset sërish. Banorët kanë gjetur edhe burimin e ujit në Bizë jo më shumë se katër kilometra larg, ndërsa kërkojnë që të shfrytëzohet për furnizimin e fshatit Val.