
Teksa udhëtoni në aksin rrugor Burrel – Skuraj do të kaloni mbi të gjitha urat e kësaj rruge, por ju mund të shihni vetëm gjenden sipërfaqësore të tyre. Të ndërtuara që me hapjen e kësaj rruge, urat që nisin nga kjo në afërsi të vendit të quajtur “Pularia” e deri në Skuraj, kanë problematikat e tyre.
Siç duket nga pamjet, bazamenti i këmbëve të urës në afërsi të ish “Pularisë”, është gërryer ndjeshëm duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e urën mbi të cilën kalojnë mjete deri të tonazhit të rëndë. Zgavra duket se po thellohet më shumë i pasojë e prurjeve të mëdha që ka zalli i Gërmanit gjatë ditëve me reshje shiu.
Nga vëzhgimi i bërë me kameran tonë, vihet re se këto ura nuk kanë vetëm problemin e bazamentit, por edhe të dëmtimeve në strukturën e përgjithshme. Edhe ura në vendin e quajtur “Kongrazhd” ka disa probleme. Ndarja në dy pjesë është e dukshme në anën veriore të saj. Për të mos folur këtu për barrierat mbrojtëse, të cilat vështirë të kryejnë funksionin që kanë, pasi gjendja e tyre duket e rëndë dhe aspak premtuese për të ndaluar automjete që mund të rrezikojnë rënien nga ura.
Dritan Kurti