Ura e Shkopetit, nevojë për ndërhyrje
Kjo është ura mbi liqenin e Shkopetit që lidh fshatin Madhesh me rrugën nacionale Burrel – Skuraj. Vitet e fundit është bërë ndër urat më të famshme në Shqipëri për shkak të interesit të madh që tregohet nga vizitorët vendas e të huaj. Çdo ditë me dhjetra vizitorë vijnë pranë kësaj ure për të fiksuar fotografi e video me aparatet e tyre, teksa interesi sa vjen e rritet.
Por prej pak kohësh, ura ka nevojë për një ndërhyrje për shkak se dërrasat kanë nisur të kalben e të thyhen, duke bërë që të gjithë ata që kalojnë mbi të, të mos jenë të sigurtë.
Zef Gjeçi, kryetar i fshatit Madhesh thotë se zona po merr vëmendje të madhe për shkak të bukurisë natyrore që ka, por edhe urës së gjatë 300 metra që lidh dy brigjet e liqenit të Shkopetit. Gjeçi shton se aktualisht kjo urë ka nevojë për riparime.
Ura në fjalë nuk i shërben vetëm turizmit, por edhe banorëve apo bizneseve që ndodhen në anën tjetër të liqenit të Shkopetit.