Ura e Matit – Rrëshen rrezikon të bllokohet, probleme në afërsi të Urakës
Aksi nacional Ura e Matit – Rrëshen vijon të jetë në gjendje tejet të degraduar për qindra automjete që lëvizin në drejtim të Veriut të vendit apo fshatrave të Bashkisë së Matit.
Prania e gropave në këtë aks rrugor nuk është problemi i vetëm. Shqetësues mbetet skarpata e rrugës në afërsi të Urës së Urakës. Duke qenë se gjatë ndërtimit të rrugës, këto skarpata nuk u bënë ashtu siç duhet, masive dherash kanë rënë vazhdimisht duke u bërë problem për drejtuesit e mjeteve.
Ndërkohë, shqetësimi mbetet për shkak se në këtë zonë vijojnë të shkëputen masive toke që i drejtohen rrugës.
Me reshjet e fundit të shiut, skarpata vijon të shembet dhe nëse nuk ndërhyhet mund të bëhet shkak për bllokimin total të qarkullimit të automjeteve.
Siç duket nga pamjet, as pemët e lisit nuk e kanë mbajtur tokën të mos rrëshqasë dhe prania e ujit e bën më të lehtë shembjen.
Por jo vetëm kjo pjesë është e rrezikshme pasi edhe në shumë vende të tjera është i njëjti fenomen si në afërsi të Zenishtit ashtu edhe në pjesën tjetër drejt Rrëshenit.
Mirëmbajtja nëpërmjet mbushjes së gropave apo riparimit të mureve të shembura është e pamjaftueshme për ta bërë këtë rrugë lehtësisht të kalueshme nga të gjitha llojet e automjeteve.