URA E LUSËS DREJT DEGRADIMIT TOTAL – RREZIK PËR KËMBËSORËT DHE DREJTUESIT E MJETEVE

0
269

Ura e Lusës, pjesë e rrugës nacionale Burrel–Klos, vijon të jetë një nga pikat më problematike për sigurinë rrugore në këtë aks. E ndërtuar dekada më parë, kjo vepër arti infrastrukturore nuk përmbush më asnjë standard sigurie, ndërsa prej vitesh nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje rehabilituese.

Banorët e zonës shprehen të shqetësuar, pasi ura nuk ka një hapësirë të dedikuar për këmbësorët, duke e bërë kalimin mbi të të rrezikshëm, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.


Njëri nga banorët shprehet: “Jemi lodhur duke kërkuar zgjidhje. Nuk ka as mbrojtëse, as vend për këmbësorë. Të kalosh këtu është si të luash me jetën.”

Pak ditë më parë, një tjetër automjet është përplasur me barrierat prej betoni, duke i dëmtuar edhe më shumë ato. Ndërkohë, në hyrje të urës, në krahun e djathtë, ka nisur një ulje e terrenit, që sipas banorëve ky është sinjal i parë i dëmtimit të strukturës së urës.

Në pjesë të ndryshme, barrierat mbrojtëse janë degraduar plotësisht dhe në disa pjesë mungojnë. Banorët kërkojnë vendosjen e mbrojtëseve metalike dhe ndarjen e një hapësire për këmbësorët, përpara se të ndodhë ndonjë fatkeqësi.

Edhe pse rruga Burrel–Klos iu nënshtrua rehabilitimit të plotë në vitin 2018, Ura e Lusës mbeti jashtë ndërhyrjeve efikase. Banorët ngrenë alarmin dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për të garantuar sigurinë e qarkullimit mbi këtë urë jetike për zonën dhe jo vetëm.