Ura e Karicës, projekti që mbeti vetëm në letër
Kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë nëpërmjet Urës së Karicës në aksin nacional Burrel – Skuraj ka qenë ndaluar tek prej disa muajsh, por tashmë ato mund të qarkullojnë lirshëm mbi të. Ndalimi i qarkullimit mbi këtë urë tejet të amortizuar ishte bërë nga ekspertë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilët konstatuan një vit më parë se ajo nuk është në gjendjen optimale për të mbajtur pesha të rënda, që janë kryesisht ato të transportit të mallrave mbi 3.5 ton për aks.
Kjo urë është parashikuar të rindërtohet me buxhetin e Bankës Botërore, i akorduar pak vite më parë për 24 ura në të gjitha akset kombëtare të vendit tonë, përfshirë dhe atë Burrel-Skuraj. Ndërsa përdorues të këtij aksi nacional shprehen se punimet për rindërtimin e Urës së Karicës kanë qenë premtuar se do të fillonin që muajin gusht, por ato ende nuk kanë nisur. Madje ato kërkojnë që të investohet jo vetëm mbi urën e Karicës, por në të gjithë aksin nacional, nga Skuraj deri në Burrel, për t’iu bërë një riveshje e plotë me asfalt.
Burime pranë ARRSH thanë për median tonë se Ura e Karicës pritet të nisë ndërtimi i urës së re në gjysmën e dytë të këtij viti, ndërsa është autoriteti financues ai që do të bëjë tenderimin dhe më pas shpalljen e fituesit të projektit. Sipas ARRSH, deri në ndërtimin e urës së re, Ura e Karicës do të vijojë të jetë e bllokuar për kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, por një gjë e tillë aktualisht nuk po ndodh.