Ura e Karicës, projekti që mbeti vetëm në letër

Ura e Karicës, projekti që mbeti vetëm në letër

Kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë nëpërmjet aksit Burrel – Skuraj është ndaluar. Shkak për këtë është bërë pikërisht ura e Karicës, e cila sipas ekspertëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar nuk është në gjendjen optimale për të mbajtur pesha të rënda, që janë kryesisht ato të transportit të mallrave mbi 3.5 ton për aks.

Ndalimi i qarkullimit mbi këtë urë është kufizuar me barriera betoni të vendosura në të dyja anët e hyrjes, ndërsa është plotësuar edhe me sinjalistikë, por që respektimi i saj lë për të dëshiruar.

Kjo urë është parashikuar të rindërtohet me buxhetin e bankës botërore i akorduar pak vite më parë për 24 ura në të gjitha akset kombëtare të vendit tonë.

Ndërtimi i këtyre urave ende nuk ka nisur, ndërsa projekti parashikon që shumë prej tyre të përfundojnë në vitin 2027. Burime pranë ARRSH thanë për “Mat Televizion” se Ura e Karicës pritet të nisë ndërtimi i urës së re në gjysmën e dytë të këtij viti, ndërsa është autoriteti financues i cili do të bëjë tenderimin dhe më pas shpalljen e fituesit të projektit.

Sipas ARRSH, deri në ndërtimin e urës së re, Ura e Karicës do të vijojë të jetë e bllokuar për kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, pasi nuk ka sigurinë e mjaftueshme për të kaluar automjete të ngarkuara me mineral kromi apo materiale të tjera që kalojnë kapacitetin mbajtës të urës.