Ura e Halilit në Klos.Instituti i Trashëgimisë Kulturore duhet të ndërhyjë urgjentisht

Ura e Halilit në Klos.Instituti i Trashëgimisë Kulturore duhet të ndërhyjë urgjentisht
Ura e Halilit, një ndër veprat më të vjetra dhe më të rralla të trashëgimisë sonë kulturore, ndodhet sot në gjendje të mjerueshme. E shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, kjo urë shekullore që gjendet në territorin e Bashkisë Klos, është e mbuluar nga ferrat e barishtet, ndërsa një pjesë e rrugës pranë saj po shembet, duke rrezikuar seriozisht strukturën e gurëve të saj. Përveç dëmtimeve natyrore, situata është përkeqësuar edhe nga hedhja e mbeturinave nga banorë të zonës, që kanë shndërruar hapësirën përreth në një mjedis të ndotur. Banorët apelojnë që instancat përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht për pastrimin dhe mirëmbajtjen e urës, përpara se ngricat e dimrit të përshpejtojnë dëmtimet strukturore të saj. E ndërtuar rreth 300 vjet më parë, Ura e Halilit është një vepër me stil ndërtimor venecian, e cila lidh fshatrat Dars, Bel dhe Fullqet në bashkinë e Klosit. Megjithë vlerën historike e arkitektonike, vetëm një ndërhyrje restauruese është kryer vitet e fundit. Heqja e gurëve nga struktura po vazhdon, duke e bërë urën gjithnjë e më të brishtë. Sipas banorëve, mungesa e sinjalistikës dhe mbrojtjes fizike mund të çojë edhe në dëmtime të qëllimshme. “Mat Televizion” e ka ngritur disa herë shqetësimin për gjendjen e urës së Halilit, duke i bërë thirrje institucioneve të trashëgimisë kulturore që të reagojnë për shpëtimin e kësaj vepre të rrallë të arkitekturës tradicionale shqiptare.