Ura e Darsit në plan për investim
Ura tip bel e fshatit Dars në Bashkinë e Klosit vijon të jetë problematike për të gjithë drejtuesit e mjeteve që kalojnë mbi të.
Edhe pse në këtë urë është ndërhyrë së fundmi nga Bashkia Klos duke vendosur dërrasat në vendet ku ato ishin thyer, situata sërish mbetet problematike.
Për shkak të amortizimit nga kushtet atmosferike dhe kalimit të mjeteve vazhdimisht mbi të, shtresa prej dërrase vijon të jetë e amortizuar.
Shumë prej tyre janë gati në dëmtim të plotë, por gjendja nuk është ajo që duhet.
Të interesuar nga ana jonë, drejtues të Bashkisë Klos thanë se kjo urë, ashtu si disa ura të tjera është në plan investimi për tu bërë prej betoni.
Projekti i Bashkisë Klos ka gjetur mbështetjen financiare nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do të investohet në urën që lidh Darsin me qytetin e Klosit dhe rrugën e Arbrit me një pjesë të fshatit Shkallë në Xibër e Gurin e Bardhë.
Investimi në këto dy ura pritet të nisë shumë shpejt dhe të marrë fund gjendja problematike që shkaktohet në shtresën prej dërrase e cila amortizohet shumë shpejt edhe pse zëvendësohet shpesh nga specialistët e bashkisë.