Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka ndarë sot në Prishtinë çmimet “Vangjush Gambeta 2019”, për raportimin më të mirë ekonomik të publikuar gjatë këtij viti nga gazetarë të sektorit të ekonimisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ndarjes së çmimeve i ka parapri konferenca tematike “Ilegaliteti dhe legaliteti në ekonomi” ku pjesëmarrësit theksuan se ekonomia gri është armiku kryesor i zhvillimit ekonomik dhe kanë nënvizuar nevojën e realizimit të ligjeve dhe strategjive qeveritare në luftim të ekonomisë ilegale.

Çmimi “Vangjush Gambeta” për gazetarinë audio vizuale në Shqipëri iu nda Donald Jorgoni, ndërsa për mediat e shkruara në Kosovë, gazetares së Koha Ditore Saranda Ramaj, për Shqipëri Ledina Loga dhe për Maqedoninë e Veriut Vedat Memedaliu.

Me çmimin “ Karriera” ka nderuar redaktoren shumëvjeçare të Radio DË, Adelheid Feilce dhe gazetaren e Zërit të Amerikës Laura Konda. Për raportimin më të mirë të vitit 2019 në lëmin e ekonomisë është nderuar gazetari Vali Qyrfyçi, ndërsa çmimin “Gazetari i Vitit” iu nda gazetarit Taulant Koplikaj. Gazetari Kloplikaj është vlerësuar për punën e bërë në kthimin në shtëpi të Alvin Berishës i cili ndodhej në kampet e Sirisë.

Me rastin e ndarjes së çmimeve vjetore, Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, Aleksandër Çipa, tha se përmes kësaj ngjarje bashkojnë përfaqësuesit e institucioneve dhe gazetarëve të ekonomisë, të cilët ballafaqojnë pikëpamjet e tyre dhe sfidat që përjetojnë pavarësisht njësisë administrative ku jetojnë.