Unaza e poshtme e qytetit të Burrelit drejt fundit…

Unaza e poshtme e qytetit të Burrelit drejt fundit…

Projekti për sistemi-asfaltimin e unazës së poshtme të qytetit të Burrelit është drejt përfundimit të plotë. Këtë të hënë firma e cila po zbaton projektin ka nisur punën për hedhjen e shtresës së parë asfaltike. Ky proces ka filluar nga hyrja tek “Kthesa e Sanës”.

Projekti në fjalë ka nisur implementimin prej disa muajsh ku janë bërë të gjitha nënshtresat e rrugës, kanë përfunduar veprat e artit dhe tashmë po bëhet hedhja e shtresës së parë të asfaltit. Ky proces pritet t’i hapë rrugë përfundimit të të gjithë zërave të parashikuar në projekt.

Sipas drejtuesve të punimeve, i gjithë zbatimi i projektit është monitoruar me kujdes në mënyrë që rruga të mos ketë probleme siç ka patur më parë.

Kanalet kulluese të ndërtuara në të gjithë gjatësinë e rrugës nga “Kthesa e Sanës” deri në bashkimin me segmentin e ndërtuar në afërsi të ish agjensisë, do të bëjnë të mundur qëndrueshmëri të gjatë të rrugës dhe shmangjen e problemeve nga akumulimi i ujërave sipërfaqësorë e nëntokësorë që vijnë nga qyteti i Burrelit.

Po ashtu, projekti përfshin edhe ndërtimin e trotuareve dhe vendosjen e ndriçimit, një mundësi kjo që qytetarët e Burrelit ta përdorin për ecjen e pasdites apo të mëngjesit. I gjithë projekti pritet të mbyllet brenda pak ditëve.