Ulja e vlerës së kartonit jeshil apo siguracionit ndërkombëtar të automjeteve nga ana e shtetit të Maqedonisë së Veriut duket se ka dhënë efekt të menjëhershëm. Këtë fundjavë radha e automjeteve që hynin e dilnin nga shteti fqinj nëpërmjet pikës së kalimit në Bllatë të Maqellarës ishte kilometrike.
Vargu i automjeteve shumë i gjatë në kufi sipas drejtuesve të automjeteve është nga efekti i uljes së vlerës së policës së sigurimit ndërkombëtarë me shtetin fqinj në vlerën e 50 eurove në vit.
Qytetarët e Dibrës dhe Bulqizës shfrytëzojnë Maqedoninë e Veriut për të furnizuar automjetet me karburant pasi atje një litër naftë është të paktën 50 lekë më lirë se në vendin tonë.
Një tjetër arsye që gjatë fundjavës ka dyndje të qytetarëve është edhe çmimet e ulta të produkteve të konsumit të përditshëm.
Që prej vitit 2022, banorët e Dibrës dhe Bulqizës i furnizojnë vazhdimisht automjetet e tyre me karburant në Maqedoninë e Veriut për shkak të çmimit shumë të ulët. Rritja e çmimit të karburanteve në vendin tonë me pretekstin e nisjes së luftës në Ukrainë, nuk po shkon më në nivelin ku ishte para se të niste lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.