Ulet në minimum niveli i ujit në liqenin e Ulzës, shkak dyshohet shfrytëzimi për shitjen me çmim të lartë të energjisë

0
68

Niveli i ujit në liqenin e Ulzës ka rënë thuajse në pikën minimale ditët e fundit. Shkak dyshohet të jetë bërë prodhimi energjisë me kapacitete maksimale nga ana e kompanisë KURUM që ka privatizuar dy veprat hidroenergjitike, HEC-et Ulëz e Shkopet.

Ndonëse jemi ende në muajin e parë të pranverës, për specialistët e peshkimit ky shfrytëzim maksimal në këtë periudhë nuk është efektiv pasi mund të mos ketë reshje shirash që të bëjnë mbushjen e basenit me ujë në periudhën e shtimit natyral të peshkut liqenor.

Burime brenda HEC-it Ulëz thanë për Mat Televizion se shkak i shfrytëzimit në maksimum të ujit për prodhimin e energjisë elektrike ka qenë çmimi i lartë në tregun ndërkombëtarë.

Duke qenë se kompania e shet energjinë në bursën ndërkombëtare ka shfrytëzuar rritjen e çmimit të energjisë në treg dhe e ka shitur.

Sipas specialistëve, kjo ndikon negativisht në ekonominë nën ujore të peshkimit, pasi një nivel i tillë nuk i jep mundësinë peshkut të lëshojë vezët që të shumohet, pasi për këtë duhet që niveli i ujit të jetë deri në fshatin Urakë ku dhe ka bimësi.

Banorët dhe peshkatarët i bëjnë apel kompanisë që të ndalojë prodhimin e energjisë në mënyrë që të rritet niveli i ujit për t’i dhënë mundësi peshkut të bëjë shtim natyral.