
Vepra më e madhe vaditëse në rrethin e Matit, kanali vaditës i Klosit është aktualisht në shërbim të fermerëve të luginës që mbulon kjo vepër që nga fshati Fshat e deri në fshatin Zenisht. Specialisti pranë Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Durrës, sektori i Matit, Basir Salaj tha se deri tani vetëm 700 metra lineare të kësaj vepre vaditëse nuk janë në funksion për shkak se duhet një ndërhyrje e vogël. Por sipas tij edhe kjo do të realizohet brenda pak ditësh dhe uji vaditës do të kalojë në skajin tjetër të fshatit Zenisht. Specialisti Basir Salaj ju bëri thirrje të gjithë banorëve që jetojnë mbi kanalin vaditës të Klosit që të shmangin hedhjen e mbeturinave në të, mbeturina të cilat jo vetëm që ngadalësojnë ujin për tek fermeri i fundit, por dëmtojnë edhe sifonet që ndodhen në gjatësinë prej afro 18 kilometrash nga Klosi në Zenisht.
Pas vendosjes në efiçencë të plotë të kësaj vepre vaditëse, do të jetë më pas pushteti vendor i cili do të bëjë menaxhimin e ujit për të gjithë fermerët.