Rekamë

Ka nisur puna për ndërtimin e ujësjellësit që do të furnizojë disa nga fshatrat e Bashkisë së Klosit. Projekti për furnizimin e fshatrave Fullqet, Dars, Unjate e Bel do të furnizohet nga burimet ujore të fshatit Ketë në Njësinë Administrative Xibër.

Firma zbatuese e këtij projekti ka nisur nga puna për ndërtimin e linjës në fshatin Ketë dhe po vijon në drejtim të fshatit Xibër – Hane e më pas do të kalojë në fshatrat Dars, Bel, Unjate e Fullqet.

Ky projekt është i ndarë në dy faza, ku pjesa tjetër do të jetë për furnzimin me ujë të pijshëm të fshatrave Fshat, Klos-Katund, Plan i Bardhë dhe Shëngjun. Për këto fshatra, furnizimi me ujë të pijshëm do të bëhet nga burimet ujore të fshatit Gurë i Bardhë e përkatësisht nga “Përroi i Lopës”.

Drejtues të firmës zbatuese të këtij projekti thanë se punimet do të mbyllen brenda afatit të parashikuar në kontratë dhe se sasia e ujit që do të kalojë në tubacione do të jetë e mjaftueshme për të gjithë banorët e këtyre fshatrave.

Projekti është financuar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës- Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve me një vlerë prej afro 232 milion lekë të rinj.