
Familja Çipi nga fshati Fullqet i Bashkisë së Klosit po përmbytet sa herë ka reshje shirash. Banesa e kësaj familjeje po përballet me këtë fenomen prej vitesh. Sami Çipi thotë se për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese të rrugës apo atyre vaditëse, uji vërshon në banesë duke e rrezikuar atë edhe si konstrukt. Samiu tregon se problemin e tij e ka ngritur edhe në pushtetin vendor që prej vitesh, por askush nuk e ka zgjidhur. Sipas Sami Çipit, kanalet e ujërave të shiut bllokohen qëllimisht nga banorët e tjerë, ndërsa bashkia për këtë nuk po bën asgjë.
Për shkak të kësaj problematike, Samiu thotë se nuk ka më siguri as në banesën e tij pasi ujërat e dimrit po e rrezikojnë të shembet totalisht.