U rëndua fjala, shpirti na u mbush me mall
U rëndua fjala, shpirti na u mbush me mall… Më 23 mars 2026, në moshën 76-vjeçare, pas një ataku kardiak, u nda nga jeta poeti dhe prozatori Skënder Xhika, anëtar i Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat. Për familjen, të afërmit, miqtë, komunitetin dhe Klubin tonë letrar, kjo është humbje e madhe, dhembje e thellë. Ai lë pas një boshllëk që nuk mbushet dhe një kujtim që do të mbetet i gjallë ndër vite. Skënder Xhika u lind më 13 shtator 1950 në Macukull të Matit. Pas përfundimit të arsimit 8-vjeçar në vendlindje, vijoi studimet në Teknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Gjatë jetës së tij punoi si teknik ndërtimi në vepra të rëndësishme si Hidrocentrali i Fierzës, ish-Miniera e Kromit “11 Heronjtë” e Batrës në Martanesh, Uzina e Ferrokromit në Burrel etj. Krahas profesionit, ai kultivoi me përkushtim të veçantë pasionin për letërsinë. Është autor i librit me tregime “Dritë mbi errësirë”, i monografisë “Jetë në shërbim të shkencës”, kushtuar Doktorit të Shkencave Bujqësore Qamil Xhika, si dhe i vëllimit poetik “S’mund ta fsheh të vërtetën”. Ishte ndër anëtarët e parë të Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, duke dhënë një kontribut të çmuar në jetën kulturore të komunitetit. Skënder xhika nuk është më mes nesh, por mbetet në fjalët që la, në kujtimet që mbolli dhe në dashurinë që dhuroi. Për familjen, të afërmit, miqtë dhe për Klubin Letrar “Pjetër Budi” Mat, kjo është një humbje e rëndë, një plagë që dhemb, një boshllëk që flet. U prehtë në paqe dhe kujtimi i tij qoftë i përjetshëm në zemrat tona! Me dashuri dhe nderim, Klubi Letrar “Pjetër Budi” Mat