U përkujtua në Martanesh 84-vjetori i krijimit të çetës partizane të kësaj krahine

U përkujtua në Martanesh 84-vjetori i krijimit të çetës partizane të kësaj krahine

Dhjetra banorë të Martaneshit u mblodhën të dielën e 27 Shtatorit për të kujtuar një ndër datat më të rëndësishme që ka kjo trevë, atë të krijimit të Çetës së Martaneshit. Të pranishëm për këtë datë historike ishin edhe deputetët e kuvendit të Shqipërisë Agron Malaj e Ulsi Manja, kryetarja e Bashkisë Bulqizë Festime Mjeshtri, kryetarja e organizatës së veteranëve të Shqipërisë Vera Tarifa, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate Veli Myftari etj. Vizita tek lapidari në fshatin Peshk dhe vendosja e kurorave tek ky lapidar ishte nisja e kësaj date përkujtimore.

Oratorët, sekretari i shoqatës atdhetare kulturore “Martaneshi” Sulejman Peshku përshëndeti të pranishmit. Ndërsa profesor Teki Kurti mbajti një rezyme të shkurtër të krijimit të çetës së Martaneshit dhe luftës për liri që kjo krahin ka zhvilluar.

Më pas aktiviteti u zhvendos në Krastë ku u zhvillua një program i larmishëm artistik. Kryetarja e Bashkisë Bulqizë Festime Mjeshtri dhe kryetari i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Bulqizë Xhevat Jella bënë përshëndetjet e rastit.

Në vazhdim nxënësit e shkollës së Krastës dhanë një program artistik, ku i ftuar për të interpretuar ishte edhe këngëtari Hysni Hoxha. Në përfundim të aktivitetit të pranishmit shijuan prodhimet e stinës si dhe gatimet tradicionale të krahinës së Martaneshit.