Vendimi për të u mor nga Gjykata e Tiranës më 29 shtator, duke i zbutur masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Pajtim Aga20 Tetor, 2020 17:48
TIRANË– Lirohet nga burgu Pajtim Aga, vëllai i shefit të policisë rrugore në Dibër, Robert Aga, një prej të arrestuarve të operacionit anti-drogë “Tranzit”. Vendimi për të u mor nga Gjykata e Tiranës më 29 shtator, duke i zbutur masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Ndërkohë vendimi i marrë nga togat e zeza, është kundërshtuar nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka shfaqur pretendimet se nuk ishte dakord për lirimin nga burgu të Agës, i cili akuzohet për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Prokuroria e ka apeluar vendimin por më pas është tërhequr nga kërkesa e depozituar në Gjykatën e Apelit, e cila kishte caktuar si ditë për dhënien e vendimit datën 13 tetor.
Por teksa çështje penale për “Shpërdorim detyre” dhe “korrupsion zgjedhor”, vijon prej dy viteve të qëndrojë e hapur në prokurorinë e Dibrës, në Tiranë, vëllai i Robertit, Pajtim Aga, i cili u kap në janar 2020 nga policia, si person i dyshuar për tregtim të drogës, është liruar nga burgu.
Pajtim Aga, është vëllai i shefit të policisë së Dibrës, Robert Aga, i cili është një nga personazhet kryesorë të raundit të tretë të përgjimeve të publikuara nga media gjermane “BILD”, teksa dëgjohet të fliste me ish-ministrin Damian Gjiknuri, Xhemal Qefalinë, Ulsi Manjën dhe Saimir Tahirin. Këtij të fundit, Aga i bindej me shprehjen: Jam ushtari jot!
Ndërsa vëllai i tij, Pajtim Aga njihet si biznesmen në qarkun e Dibrës, ku prej disa vitesh ka hapur një televizion kabllor. Por kjo nuk është hera e parë që Pajtim Aga bie në pranga. Në 25 shtator 2016, Pajtim Aga u arrestua nga Policia e Lezhës pasi iu gjetën 320 gramë kokainë, pikërisht 10 ditë pas telefonatës së ‘famshme’ që Robert Aga kishte shkëmbyer me ish-ministrin Tahiri. Dy vite më vonë, në 2018-n, Aga humbi edhe të birin, Mateon. 21-vjeçari u zhduk pa lënë gjurmë nga Maqellara dhe familjarët pretenduan se mund të jetë rrëmbyer.