U asfaltua dy vite më parë, degradon rruga e fshatit Peshk në Martanesh

U asfaltua dy vite më parë, degradon rruga e fshatit Peshk në Martanesh

Rruga që lidh fshatin Peshk të bashkisë Bulqizë me qytezën e Krastës është gati e pakalueshme. Kjo rrugë u asfaltua vetëm dy vite më parë teksa u prit nga banorët me entuziazëm. Por gjendja e rrugës sot është kjo.

Rruga ka pësuar çarje në një distancë të konsiderueshme duke u bërë gati e pakalueshme për automjetet e vogëla. Jashtë kameras, banorë të zonës thanë se shkak mund të jetë bërë mungesa e kanaleve kulluese anësore e si pasojë e prezencës së ujit gjatë stinës së dimrit, rruga ka pësuar shembje. Ata kërkojnë që të ndërhyhet sa më parë në mënyrë që të mos lejohet degradimi i mëtejshëm i situatës.

Banorët shprehen gjithashtu se nëse lejohet që rruga të degradojë më tej, atëherë mund të mbeten të izoluar pasi nuk kanë rrugë tjetër për tu lidhur me qytetin e Krastës.

Kjo rrugë nuk i shërben vetëm banorëve të fshatit Peshk, por edhe të atyre të fshatrave Gjon, Val, Ballenj e Lenë.