TREGTARI I BOSTANIT NE MAQELLARE TE DIBRES
Në një cep të Rrugës së Arbërit, mes zhurmës së makinave, qëndron Besim Shehu nga fshati Podgorcë, Dibër. Për 33 vite, jeta e tij ka qenë e lidhur me tokën, me prodhimin dhe tregtimin e bostanit dhe blegtorinë. Por, siç shprehet ai, këto 33 vite janë shoqëruar me një mungesë të mbështetjes nga shteti.
Besimi, megjithëse në moshë pensioni, vazhdon të punojë pa pushim. Pensioni i tij nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet e jetesës, ndaj bujqësia është bërë e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Por kërkesa e tij ndaj shtetit është të ketë një treg të sigurt për shitjen e prodhimeve.
Këtë vit, Besimi ka prodhuar rreth 300 kuintal bostan, por e gjen veten përballë një situate të vështirë: pamundësisë për t’i tregtuar. Përvoja e hidhur e viteve të shkuara, kur shpesh është detyruar të hedhë prodhimin e tij në lumin Drin i Zi, pasi nuk gjente dot treg, e ka bërë skeptik edhe për këtë vit.
Arsyeja kryesore, sipas tij, është konkurrenca e pandershme. Tregu vendas mbushet shpesh nga prodhime bujqësore nga Maqedonia dhe Greqia, të cilat shiten me çmime më të ulëta.
Vendimi i fundit i qeverisë, i cili ndalon shitjen e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale pa faturë dhe në rrugë, ka shtuar edhe më shumë pasigurinë e fermerit nga Dibra. Ky vendim, i cili synon formalizimin e ekonomisë, rrezikon mbijetesën e fermerëve të vegjël si Besim Shehu nga fshati Podgorcë, Dibër, të cilët nuk kanë mundësi të hyjnë në tregun formal.