Ekipi i futbollit Burreli do të përballet në transfertë të shtunën me Besëlidhjen e Lezhës për lologari të javës së 4 të këtij kampionati. Përballja mes rivalëve për kreun do të jetë e vështirë, pasi tashmë Burreli e ka bërë të qartë që do të luftojë në çdo ndeshje për të qenë në krye të grupit A. Trajneri i ekipit të Burrelit, Samuel Nikaj zhvilloi të premten seancën e fundit stërvitore që djemtë të jenë të gatshëm në këtë përballje të fortë. Nikaj tha se çdo ekip i grupit A është i fortë, por përballja me Besëlidhjen është shumë e vështirë duke qenë se ky ekip ka një traditë të gjatë në kategorinë e parë si dhe ka qenë vazhdimisht pretendente për superligë. Nikaj shpreson që me lojtarët me eksperiencë që ka, do tja dalin mbanë të marrin fitoren e radhës.
Sa i përket kërkesës ndaj FSHF për të patur gjyqtarë ndërkombëtarë, Nikaj tha se kjo kërkesë është bërë për shkak se janë dy skuadra cilësore dhe të dyja pretendente, ndaj duhen gjykuar nga një arbitër profesionist që në fund asnjëri të mos ngrejë pretendime ndaj gjykimit.